
Dy persona janë prangosur sot, më 06.09.2026, në një qendër tregtare pas një incidenti ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti.
Siç mëson KALLXO.com, dy personat e arrestuar, njëri 16 dhe tjetri mbi 20-vjeç, janë djem të një polici të Kosovës me mbiemrin Aliu, ndërsa incidenti lidhet me një parking.

Sipas informacioneve të siguruara nga nëna e dy të arrestuarve, Hasene Aliu, kapiteni Ahmeti në kohën kur ka ndodhur incidenti ishte me gruan e tij dhe me fëmijët.
Në një bisedë të shkurtër për KALLXO.com gruaja e policit Aliu ka konfirmuar arrestimin e djemve të saj dhe ka treguar se ajo ishte dëshmitare e ngjarjes.
Sipas saj ngjarja ka nisur për një vendparking ndërsa ka eskaluar kur kanë nisur të shara.
Aliu ka rrëfyer se fillimisht është arrestuar djali i madh e më pas edhe djali tjetër i mitur.
Në ndërkohë në stacionin e Graçanicës Aliu ka rrëfyer se janë ftuar një togë e Njësisë Speciale dhe ata kanë ushtruar dhunë fizike brenda stacionit ndaj djalit të madh të saj.
KALLXO.com ka siguruar informacione sipas të cilave Prokuroria e Prishtinës ndaj kapitenit Ahmeti ka nisur hetime për kanosje lidhur me këtë rast, ndërsa një udhëheqës toge i Njësisë Speciale është duke u hetuar për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare.
KALLXO.com kontaktoi kapitetin e Njësive Speciale, Besart Ahmetin për ta pyetur nëse është ftuar për intervistë në Polici si i dyshimtë për kanosje. Mirëpo i njëjti nuk pranoi të deklarohet.
“Nuk mund të deklarohem unë asgjë. Kontaktoni Zyrën për Media”- tha Ahmeti.
Lidhur me rastin, KALLXO.com ka pyetur Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës por asnjëri institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar rreth hetimeve në rastin e rrahjes në parkingun e Prishtina Mall, ku dyshohet se u përfshin dy djemtë e një zyrtari policor dhe Besart Ahmeti, kapiten i njësisë speciale.
IPK ka njoftuar për suspendimin e një polici, ndërsa ka theksuar se hetimer ndaj Ahmetit do të vazhdojnë për kanosje.



