Trump premton 5 mijë dollarë për çdo qytetar nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit

Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar se çdo qytetar i rritur i Shteteve të Bashkuara do të marrë nga 5 mijë dollarë nëse republikanët arrijnë ta ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit.

Sipas The Guardian, Trump e bëri këtë premtim gjatë një fjalimi gati dyorësh në konventën republikane për zgjedhjet e mesmandatit, të mbajtur në Dallas.

banner

“Nëse republikanët fitojnë, fitoni edhe ju me ne dhe merrni 5 mijë dollarë”, u tha Trump mbështetësve.

Propozimi, sipas gazetës britanike, do t’i kushtonte buxhetit amerikan më shumë se 1 trilion dollarë dhe menjëherë ka ngritur pikëpyetje etike dhe financiare.

Trump u bëri thirrje votuesve që, ndonëse emri i tij nuk është në fletëvotim, të votojnë sikur ai vetë të ishte kandidat.

“Bëni sikur unë jam në fletëvotim”, tha ai.

Gjatë fjalimit, Trump sulmoi demokratët, duke i quajtur “radikalë”, dhe paralajmëroi për pasoja të rënda nëse republikanët humbin kontrollin e Kongresit.

“Nëse humbim, do ta humbni kufirin, do t’i humbni uljet e taksave, sigurinë dhe pasurinë tuaj”, tha Trump.

The Guardian shkruan se republikanët po përballen me shqetësime serioze para zgjedhjeve të nëntorit, ndërsa mbështetja për Trumpin sillet rreth 38 për qind dhe disa kandidatë republikanë në gara të ngushta e kanë shmangur konventën.

Trump, megjithatë, pretendoi se mandati i tij i dytë ka qenë “dyvjeçari më i suksesshëm në historinë e presidencës”, ndërsa tha se republikanët duhet ta thyejnë traditën sipas së cilës partia që kontrollon Shtëpinë e Bardhë zakonisht humb terren në zgjedhjet e mesmandatit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.