
Shkrimtarja dhe filozofja Lea Ypi ka reaguar me ironi ndaj radhëve të gjata në një aeroport italian, të cilat, sipas saj, janë krijuar për shkak të sistemit të ri të hyrje-daljeve të Bashkimit Evropian.
“Radhë pa fund në një aeroport italian, për shkak të sistemit të ri të hyrje-daljeve të BE-së”, ka shkruar Ypi, duke e krahasuar skenën me një përzierje mes filmit “Kohët moderne”, komedive të Totòs dhe filmit “Up in the Air”.

Ajo ka përshkruar edhe situatën në pikat automatike të kontrollit.
“Pesëmbëdhjetë porta automatike dhe asnjëra nuk funksionon. Vetëm dy punonjës, të cilët këshillohen vazhdimisht me njëri-tjetrin dhe, së bashku, janë po aq produktivë sa gjysma e një arushi prej pellushi”, ka shkruar Ypi.
Sipas saj, përvoja krijonte përshtypjen e një sistemi që më shumë i mundon udhëtarët sesa u shërben atyre.
“Megjithatë, të krijohet përshtypja se e gjithë kjo është thjesht sadizëm: sadizmi i individëve të tjetërsuar, por, mbi të gjitha, sadizmi i një sistemi nga i cili nuk përfiton askush.”
Ypi e ka përmbyllur reagimin me ironi:
“Mirë se vini në vendin e ish-raketave dhe të vlerave të Evropës së re! 🇪🇺💪”
Ajo ka shtuar se fotografinë e kishte bërë vetëm pasi kishte dalë nga radha, pasi, siç tha, “nuk doja të rrezikoja të arrestohesha”.



