
Presidentja e Kosovës rithekson mirënjohjen për NATO-n dhe përkushtimin për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se në këtë takim ka përcjellë mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin e NATO-s në vend dhe sigurinë e tij.
“Në New York pata kënaqësinë të takohem me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge. Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike”, shkroi Osmani.
Ajo theksoi se Kosova mbetet e vendosur të forcojë partneritetin me NATO-n dhe të avancojë drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike.



