
VLEN ka dalë me një qëndrim në mbështetje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerëve të saj që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Në reagim thuhet se lufta çlirimtare e Kosovës dhe rrugëtimi drejt pavarësisë përbëjnë një nga periudhat më të ndjeshme dhe më të lavdishme të historisë shqiptare.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare për liri, dinjitet dhe mbijetesë. Mbi sakrificën e dëshmorëve dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës për liri janë ngritur themelet e Republikës së pavarur të Kosovës”, thuhet në qëndrimin e VLEN-it.
VLEN ka përmendur edhe Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, duke theksuar se akuza nuk përbën aktgjykim.
“Presumimi i pafajësisë është parim themelor i drejtësisë dhe duhet të respektohet deri në fund”, thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, Republika e Kosovës është “realitet i pakthyeshëm” dhe rezultat i sakrificës, qëndresës dhe luftës së UÇK-së.
“VLEN qëndron pranë Republikës së Kosovës, pranë shqiptarëve të Kosovës dhe pranë vlerave të luftës së UÇK-së. Historia nuk rishkruhet me akuza”, thuhet më tej.
Në fund, VLEN ka shprehur shpresën që ish-krerët e UÇK-së të kthehen të lirë pranë familjeve të tyre.
“Shpresojmë dhe besojmë që Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të kthehen të lirë pranë familjeve të tyre.”



