
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Lushtaku thotë se Kurti nuk i ka respektuar ftesat e Prokurorisë së Kosovës andaj e ka vendin në burg.

“Albin Kurti e ka vendin në burg. Ai nuk po shmanget rastësisht nga Prokuroria dhe është bërë shembulli më i keq për zbatimin e ligjit. Ai i ka dhënë shembull rinisë në Kosovë që mos t’i respektojë vendimet e Prokurorisë, por i ka dhënë shembull edhe çdo krimineli, i cili mund të thotë se nuk e zbatoj ligjin pasi as kryeministri i vendit tim nuk e bën një gjë të tillë. Ku ka një kryeministër në botë që nuk i përgjigjet Prokurorisë. Ai mund të shitet i moralshëm, mirëpo veprimet i ka të tjera”, ka thënë Mërgim Lushtaku në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Lushtaku ndër të tjera vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje po synon që vendin ta dërgojë edhe një herë në zgjedhje.
“Nëse Vetëvendosje nuk dëshiron zgjedhje në fund të dhjetorit, ka mundur që ditën e djeshme ta zgjedhin edhe presidentin. Vetëvendosje e synon një president “kukull” që t’i zbatojë planet e Marrëveshjes së Ohrit. VV dhe LDK kanë marrëveshje, nuk e di se pse nuk doli në votim presidenti”, deklaroi Lushtaku.
Ditë më parë VV dhe LDK dolën me propozim të përbashkët për presidentin e ri të Kosovës, teksa u propozua Bekim Sejdiu.
“Për presidentin e propozuar (Bekim Sejdiu) nuk kam ndonjë mendim personal pasi që nuk e njoh personalisht, por jam i bindur se ai vepron në atë mënyrë se si dëshiron Albin Kurti”, tha ndër të tjera, Mërgim Lushtaku.



