Abdixhiku pas tërheqjes së Sejdiut: Kjo është PISA politike e Kosovës – bllokohemi, urrejmë dhe përfundojmë sërish në zgjedhje

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës, duke thënë se ai tregoi dinjitet dhe se mënyra e tërheqjes dëshmon pse do të ishte zgjedhja e duhur për këtë post.

“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President”, ka shkruar Abdixhiku.

banner

Ai ka shprehur keqardhje që vendi, sipas tij, në vend të zgjedhjes së Presidentit po përballet me kaos politik, bllokadë dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

“Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka thënë se Sejdiu ishte shënjestër e sulmeve të paprecedenta dhe se “urrejtja si mjet dhe inati personal” janë bërë më të fuqishme se përgjegjësia ndaj vendit.

“Sa shumë kemi nevojë për njerëz të mirë në këtë vend. Sa lehtë i hedhim poshtë”, ka shkruar ai.

Kreu i LDK-së e ka krahasuar situatën me rezultatet e dobëta të Kosovës në testin PISA.

“Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi të rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje. Edhe pas tyre, në të tjerat”, ka thënë Abdixhiku.

Në fund, ai e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar.

“Të faleminderit Bekim për gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”, ka përfunduar Abdixhiku.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.