
Ish gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka ka thënë se vazhdimisht janë bërë shkelje nga ana e partisë në pushtet andaj sipas saj Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar.
Daka në emisionin “Konfront” në KTV është shprehur se deputetët e kësaj legjislature edhe mund të vazhdojnë punimet por gjithsesi Gjykata Kushtetuese do të vendosë për kushtetushmërinë e saj meqenëse veç është dorëzuar lënda për të.

“Kemi shkuar nga shkelja në shkelje. Ky Kuvend jo vetëm që nuk është i konstituar por për mua është komplet një farzë dhe një gjendje jokushtetuese që nga fillimi deri në fund. Deputetët mund të vazhdojnë të punojnë por gjithsesi e kemi një çështje në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e ka obligim ligjor që të vendosë diçka lidhur me atë kërkesë që është dorëzuar sot”, ka thënë Daka
Daka ka shtuar se meqenëse nuk ka ndëshkime, nuk do të thotë që duhet shmangen afatet e përcaktuara në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo foli edhe për kërkesën për vendosjen e një mase të përkohshme nga ana e kësaj Gjykate.



