
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin paqësor që do të mbahet më 21 shtator, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një konferencë për media, përfaqësuesit e Parlamentit Studentor njoftuan se marshi do të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe do të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”. Në orën 12:00, në shesh, studentët do të mbajnë edhe fjalime.

Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor tha se marshi është organizuar si një thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet. Ai bëri të ditur se studentët kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika, i cili do të prezantohet gjatë aktivitetit.
“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës e ndjen si obligim moral që ta ngrejë zërin për zhvillimet e fundit, pas vendimit të Gjykatës Speciale. Si studentë dhe si brez i ri, jemi të vetëdijshëm për luftën e drejtë të popullit tonë dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit”, tha Kastrati.
Ai shtoi se thirrja për marsh u është drejtuar studentëve, të rinjve dhe qytetarëve, ndërsa theksoi se aktiviteti synon të përcjellë mesazhe për unitet, dinjitet dhe solidaritet.
“Ky marsh është thirrje për unitet dhe e ka në qendër unitetin, si e vetmja zgjidhje deri në fjalën e fundit të drejtësisë. Marshi bën thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet në një moment të rëndësishëm për vendin tonë”, deklaroi ai.
Sipas Kastratit, në organizim do të marrin pjesë edhe studentë nga universitete të tjera publike dhe private. Memorandumi me gjashtë pika do të lexohet gjatë marshit dhe do të publikohet pas përfundimit të tij.
Ndërkaq, Donart Humolli nga Parlamenti Studentor tha se studentët e konsiderojnë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të padrejtë dhe kërkoi mbështetje për ta deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ndjen obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që të ngrejë zërin sot ndaj vendimit që e konsiderojmë thellësisht të padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë. Nuk kemi se si të jemi të qetë derisa ata që na sollën lirinë, falë të cilëve ne sot studiojmë dhe arsimohemi të lirë, gjenden në Hagë”, tha Humolli.
Ai kërkoi mbështetje financiare, politike dhe morale për të akuzuarit, si dhe bëri thirrje për unitet.



