Presioni publik e detyron Prishtinën të heqë dorë nga tarifa prej 2 eurosh

Kuvendi i Kryeqytetit ka miratuar rregulloren e re për tarifat e automjeteve që hyjnë në zonën e kufizuar të Prishtinës, duke hequr dorë nga propozimi fillestar që parashihte pagesë prej 2 eurosh për veturat.

Sipas ndryshimeve të miratuara, veturat nën 3.5 tonë nuk do të paguajnë tarifë për hyrje në qendër. Tarifat do të vlejnë për automjetet e rënda: 5 euro për ato nga 3.5 deri në 7.5 tonë dhe 10 euro për automjetet mbi 7.5 tonë.

Propozimi fillestar për tarifimin e veturave ishte kundërshtuar nga PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në versionin e miratuar është arritur dakordim ndërmjet partive. Komuna kishte nisur procesin për ndryshimin e rregullores së parkingjeve gjatë muajve gusht-shtator. 

Tarifat për automjetet e rënda do të aplikohen vetëm gjatë orëve të caktuara të ditës, ndërsa gjatë natës nuk do të ketë obligim për pagesë.

Rregullorja është miratuar me 35 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me mënyrën e aktivizimit të tarifave. Ndryshe nga propozimi fillestar, aktivizimi i tyre nuk do të bëhet me vendim të kryetarit të Prishtinës, por do të kërkojë vendim të Kuvendit të Kryeqytetit.

Faqja zyrtare e Komunës konfirmon se ndryshimi i Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve ka kaluar nëpër konsultim publik dhe se më 7 shtator Kuvendi kishte miratuar formimin e grupit punues për hartimin e ndryshimeve. 

Gazeta Politika kishte raportuar më herët për rregulloren e propozuar, e cila parashihte që qytetarët të paguanin tarifë prej 2 eurosh për hyrje me veturë në qendër të Prishtinës. Pas raportimeve dhe reagimeve të shumta publike kundër kësaj mase, propozimi është ndryshuar dhe tarifa prej 2 eurosh për veturat nën 3.5 tonë është hequr.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.