
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se të hënën do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit, ku një nga pikat e rendit të ditës do të jetë miratimi i një deklarate lidhur me procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka thënë se takimi me kryetarët dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare ka qenë i gjatë dhe “aspak i lehtë”.
“Pesë grupe parlamentare janë formuar dhe kanë dorëzuar përbërjen e tyre. Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të hënën, ku do të ketë pika të rëndësishme të rendit të ditës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se, përveç betimit të deputetëve, në rend dite do të jetë edhe një deklaratë për Dhomat e Specializuara dhe aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Do të betohen deputetët, pastaj do të jetë edhe miratimi i një deklarate që lidhet me procesin në Hagë, përkatësisht me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut, teksti i deklaratës nuk do t’u paraqitet deputetëve si akt i kryer, por ata do të kenë mundësi të kontribuojnë në hartimin e saj.
“Jemi dakorduar në Kryesi të Kuvendit që deputetët të mos vendosen paraprakisht para një akti të kryer, mirëpo të kontribuojnë në draftimin e kësaj deklarate. Pra, që të jetë një qëndrim i Kuvendit lidhur me situatën aktuale”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka sqaruar se deklarata nuk do të ketë fuqi juridike, por synon të shprehë një qëndrim politik të Kuvendit.
“Ju e dini se deklaratat nuk kanë ndonjë peshë juridike, por politikisht Kuvendi ta ketë një qëndrim në raport me këtë proces”, ka thënë Haxhiu.



