
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se institucionet dhe grupet parlamentare duhet të tregohen të kujdesshme me veprimet që ndërmarrin pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Duke folur për nismën e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Haxhiu ka thënë se, sipas informacioneve që ka, ekipet e mbrojtjes nuk janë konsultuar.
“Sa i përket projektligjit, u munduam ta pyesim Tahirin se me kë jeni konsultuar, sepse mendoj që shumë më e drejtë do të ishte që çfarëdo të bënim, të vinim në Komisionin për Legjislacion dhe të draftonin një ndryshim-plotësim të ligjit. Ose që paraprakisht të konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet e mbrojtjes. Nuk mendoj se bëjmë mirë nëse nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore. Sipas informacioneve, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe është gabim”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar se nuk dëshiron ta paragjykojë nismën e PDK-së, por ka kërkuar që partitë të mos ndërmarrin iniciativa vetëm për të krijuar përshtypjen se po veprojnë.
“Është i rëndësishëm secili veprim nga institucionet, prej grupeve parlamentare pas vendimit të Hagës. Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim vetëm të duket se po bëjnë diçka. Nuk dua ta paragjykoj nismën e PDK-së, por i ftoj grupet parlamentare të mos bëjnë propozime vetëm sa për t’u dukur. Në këtë fazë, pas vendimit të padrejtë, secili duhet të jemi të kujdesshëm në kuptimin e ndërmarrjes së veprimeve të duhura”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka folur edhe për kërkesat që Kuvendi të mbajë seancë të jashtëzakonshme pas aktgjykimit të Speciales. Sipas saj, deri më tani në Kuvend nuk është proceduar asnjë kërkesë e tillë.
“Janë bërë kritika në drejtim timin pse nuk kam thirrur seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës. Më lejoni t’ua sqaroj: nuk ka pasur asnjë kërkesë që është proceduar në Kuvend për seancë”, ka thënë Haxhiu.



