
Ministrja Donika Gërvalla ka vlerësuar kontributin e mërgatës në ekonominë dhe zhvillimin e Kosovës, duke bërë të ditur se vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026 remitancat kanë arritur në 692 milionë euro.
Sipas Gërvallës, në periudhën janar-qershor të këtij viti, remitancat janë rritur për 5.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Për vite me radhë, nga çdo cep i Evropës dhe përtej Atlantikut, mërgata është pranë Kosovës. Me punën e saj, me sakrificën e saj dhe me kontributin e saj. Është pranë saj edhe sot, si pjesë e fuqisë ekonomike dhe e potencialit të Kosovës për të ardhmen”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka thënë se shifra prej 692 milionë eurosh dëshmon jo vetëm kontributin ekonomik, por edhe lidhjen e mërgatës me Kosovën.
“Një shifër që tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi”, ka deklaruar ajo.
Sipas Gërvallës, remitancat ndikojnë në mirëqenien e familjeve, konsum, kursime dhe investime, si dhe në stabilitetin ekonomik e financiar të vendit.
Ajo ka thënë se gjatë dekadës së fundit remitancat kanë përbërë mesatarisht rreth 12 deri në 14 për qind të BPV-së së Kosovës.
Në fund, Gërvalla u është drejtuar bashkatdhetarëve me një mesazh mirënjohjeje.
“Të dashur bashkatdhetarë, ju që Kosovën nuk e latë kurrë. E mbajtët në ditët më të vështira. E mbajtët në luftë, gjatë luftës e pas luftës. E mbani edhe sot ngrohtësisht në zemër”, ka shkruar ajo.
“Për Kosovën tuaj, për këtë Republikë, për gjithçka që keni dhënë. Mirënjohje përherë”, ka përfunduar Gërvalla.



