
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas barazimit 1:1 të Kosovës me Austrinë, duke vlerësuar paraqitjen e futbollistëve të Kombëtares.
Sipas Kurtit, Kosova ishte skuadra më e mirë në fushë, ndërsa Austria pati më shumë fat.
“Kosova luajti më mirë se Austria. Austria pati më shumë fat se Kosova. Barazimi 1:1 nuk pasqyroi çfarë pamë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka vlerësuar paraqitjen kolektive të futbollistëve, duke thënë se ekipi po tregon përmirësim të vazhdueshëm.
“Futbollistët tanë shkëlqyen si ekip me përkushtim. Duket që janë duke u bërë gjithnjë e më të mirë dhe potenciali në vijim është më i madh sesa niveli që kemi tani”, ka thënë ai.
Kurti ka përmendur edhe rastet e Kosovës për të shënuar, duke thënë se skuadra pati së paku tri mundësi të tjera të mira.
“Pati së paku tri shanse të tjera për gol, të tilla që na lanë pa frymë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka kërkuar më shumë vëmendje dhe vetëbesim në realizimin e rasteve para dy ndeshjeve të ardhshme në nëntor, kundër Izraelit dhe Irlandës.
“Gëzuar Kosovë!”, e ka përfunduar Kurti reagimin.



