
Gazetari i KosovaNews, Jeton Sopa, është sulmuar fizikisht derisa po kryente punën e tij gjatë protestës para Kuvendit të Kosovës.
Gjatë raportimit nga protesta, Sopa është shtyrë nga disa persona, ndërsa në një moment është goditur edhe me shuplakë në kokë.
Incidenti ka ndodhur derisa brenda Kuvendit po zhvillohej seanca e jashtëzakonshme.
Për rastin ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka shprehur shqetësim dhe ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit.
“Jeton Sopa nga KosovaNews është shtyrë fizikisht nga disa persona gjatë protestave jashtë ndërtesës së Kuvendit, në kohën që po mbahet seanca e jashtëzakonshme”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë punën e gazetarëve dhe të mos pengojnë ekipet mediale gjatë raportimit.



