Shiroka-Pula pranon urime nga presidentët e Finlandës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar urime për zgjedhjen në detyrë nga presidentët e Finlandës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Presidenti finlandez, Alexander Stubb, i ka uruar sukses në ushtrimin e detyrës dhe ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetje të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.

Në telegramin e urimit, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, ka shprehur bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë do të vazhdojnë të forcohen. Ajo ka riafirmuar mbështetjen e vendit të saj për avancimin e parimeve demokratike, bashkëpunimin rajonal, forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Musar ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka uruar Shiroka-Pulën për zgjedhjen në këtë detyrë, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë bashkë përballë sfidave dhe në rrugën drejt së ardhmes evropiane.

Ndërkaq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka shprehur besimin se udhëheqja e Shiroka-Pulës do të kontribuojë në forcimin e dialogut dhe kohezionit shoqëror. Ajo ka vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të bazuara në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy shteteve.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.