
Valon Myrtezaj, profesor në Paris dhe anëtar i LDK-së, ka publikuar një rrëfim dokumentar rreth heroit të Kosovës, Idriz Rrecaj, trupi i të cilit u gjend së fundmi në një varrezë masive në veri të Kosovës.
Myrtezaj ka treguar se bisedën e fundit me heroin Rrecaj e kishte pasur në prill të vitit 1999.
Sipas Myrtezajt, Rrecaj e kishte këshilluar që të ruhej, duke dhënë kumtin profetik se “shpejt do të shihemi në liri”.
“Në kujtim dhe nderim të Idriz Rrecaj, Hero i Kosovës.
Herën e fundit kur u takuam, Kryetar, në fund të marsit a fillim të prillit 1999, në Tavnik, në Mitrovicë, u falëm e u vetëm, e u gëzuam shumë që u pamë prapë edhe njëherë, se ishin kohë të vështira e nuk i dihej punës.
Fjalët tua ishin: runu sa të muni, e shpejt do të shihemi në liri.
Fjalë të Prijësit që kujdeset për njerëzit e popullin e vet; dhe ofron shpresë e vizion.
Lavdi e nderim përgjithmonë” – ka shkruar Myrtezaj, transmeton Gazeta Politika.
Fatkeqësisht, Rrecaj nuk arriti ta përjetonte Kosovën e lirë, pasi forcat serbe e ndaluan dhe e zhdukën dhunshëm ish-kryetarin e LDK-së në Skenderaj.
27 vite më vonë, Rrecaj është varrosur me nderime të larta shtetërore, duke u konsideruar si një nga veprimtarët më të zellshëm në rrugën për liri të Kosovës, shkruan Gazeta Politika.



