
Komuna e Drenasit ka njoftuar se është vendosur të shtyhet ekskursioni i maturantëve për në Shqipëri për shkak të protestave atje.
Për të gjashtën ditë me radhë, në Tiranë po mbahen protesta të dhunshme. Përveç në Tiranë, protesta janë zhvilluar edhe në disa komuna të tjera të Shqipërisë.
Paraprakisht, kryetari Ramiz Lladrovci rekomandoi të shtyhet ekskursioni i maturantëve pasi deklaroi se prindërit kanë shprehur shqetësim për sigurinë e tyre, shkruan KOHA.
Postimi i plotë:
Njoftim për shtyrjen e ekskursionit të maturantëve
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vendosur që ekskursioni i maturantëve të Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të shtyhet për një kohë të përshtatshme, brenda këtij viti shkollor.
Vendimi është marrë duke pasur parasysh situatën e tensionuar në Shqipëri, mundësinë e provokimeve dhe incidenteve të padëshiruara, si dhe shqetësimet e prindërve lidhur me sigurinë e maturantëve gjatë qëndrimit të tyre.
Duke vlerësuar se jeta dhe siguria e të rinjve janë mbi çdo aktivitet, Kryetari Lladrovci konsideron se shtyrja është vendim i përgjegjshëm, deri në krijimin e rrethanave më të përshtatshme për realizimin e ekskursionit.
Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar që maturantët ta përjetojnë këtë udhëtim të rëndësishëm në kushte të sigurta, duke ruajtur si kujtim të bukur një nga momentet më të veçanta të jetës së tyre shkollore.



