
Vëllai i Donjeta Pajazitaj ka reaguar pas emërimit të Valbona Disha-Haxhosajt në krye të Prokurorisë, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti i motrës së tij.
Ai ka thënë se ky vendim ia ka thelluar mosbesimin ndaj sistemit të drejtësisë, pasi rasti vazhdon të mbetet pa epilog përfundimtar edhe pas 11 vjetësh.
“Në vend që të bëhet thirrje për drejtësi, ky vendim po e thellon edhe më shumë mosbesimin tim ndaj sistemit të drejtësisë! Si është e mundur që Valbona Disha Haxhosaj të emërohet në krye të Prokurorisë, ndërsa rasti i motrës sime, Donjeta Pajazitaj, edhe pas 11 vjetësh ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar?”, ka shkruar ai.
Vëllai i Donjetës ka kërkuar të dihet se kush do të japë përgjegjësi për zvarritjen shumëvjeçare të rastit.
“Kush do të japë përgjigje për këto vite pritjeje? Kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti i Donjetës?”, ka pyetur ai.
Në fund, ai ka kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe sqarime konkrete nga institucionet përgjegjëse.
“Familja ime ka të drejtë të dijë se çfarë ka ndodhur me rastin e motrës sime”, ka shkruar ai.



