
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, në librin e saj autobiografik “Liria”, rrëfen për jetën modeste që kishte përpara se të bëhej një nga figurat më të njohura politike në botë. Nga fëmijëria në fshat, ku kujton se pinte ujë edhe nga tasi i pulave, deri te banesat me kushte të vështira në Gjermaninë Lindore, Merkel përshkruan periudha të ndryshme të jetës së saj, shkruan Gazeta Politika.
Në autobiografinë e saj, Merkel kujton fëmijërinë e kaluar në fshat, ku, siç rrëfen, i ndodhte të pinte ujë nga tasi i pulave.
Më vonë, gjatë jetës në Republikën Demokratike Gjermane, ajo u përball me kushte të vështira banimi, ndonëse kishte studiuar fizikë në Lajpcig dhe po ndërtonte karrierën e saj shkencore.
Në librin “Liria”, Merkel përshkruan apartamentin ku jetonte me bashkëshortin e saj të parë, Ulrich Merkel, në rrugën “Marienstraße”.
Banesa ndodhej në katin e tretë të një ndërtese dhe përbëhej nga një kuzhinë, një dhomë ndenjjeje dhe një gjysmëdhomë. Ajo nuk kishte as banjo dhe as tualet privat, shkruan Gazeta Politika.
“Nuk kishte një tualet të vetin: në katin përdhes gjendej një tualet i përbashkët për të tria banesat e bllokut anësor”, shkruan Merkel.
Ajo tregon se bashkëshorti i saj, me ndihmën e prindërve të tij, arriti të ndërtonte një dush dhe një tualet brenda banesës.
Megjithatë, vështirësitë nuk përfunduan aty. Merkel rrëfen se, për shkak të gjendjes së tyre modeste financiare, nuk kishin mundësi t’i blinin materialet e nevojshme për renovim në tregun e lirë.
Për këtë arsye, ajo iu drejtua administratës komunale të banesave, duke kërkuar autorizim që t’i siguronte materialet me çmime më të volitshme.
Në një tjetër pjesë të autobiografisë, ish-kancelarja përshkruan kohën kur u vendos në një apartament tjetër, që ishte në gjendje të rëndë.
“Apartamenti im i ri ishte në gjendje të mjerueshme, por gjithsesi kishte një tualet të vetin, si pjesë të kuzhinës”, shkruan ajo.
Merkel tregon se shumicën e mobilieve i kishte marrë nga mbeturinat dhe më pas i kishte lyer me bojë për t’i përdorur.
“Flija mbi arka druri, ku kisha vendosur një dyshek. Niveli i banimit ishte pa dyshim tejet modest, e megjithatë ndihesha mirë”, rrëfen ish-kancelarja, shkruan Gazeta Politika.
Ajo përshkruan gjithashtu mënyrën se si përpiqej ta rregullonte statusin e banimit, duke pyetur fqinjët sa paguanin qira dhe duke ia kaluar të njëjtën shumë çdo muaj administratës komunale.
Këto rrëfime japin një pamje të jetës personale të Angela Merkelit në Gjermaninë Lindore, shumë vite përpara se ajo të bëhej kancelare e Gjermanisë.
Merkel e udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet, nga viti 2005 deri në vitin 2021, ndërsa në autobiografinë “Liria” kthehet te përvojat e saj familjare, shkollimi, puna shkencore dhe jeta përpara përfshirjes në politikë./GazetaPolitika.



