
Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ka komentuar letrën e Arlinda Zekajt drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati.
Çitaku ka vlerësuar se kjo letër është aktakzuë nga varri.
Tutje, Çitaku, që aktualisht është edhe ushtruese e detyrës së kryetares së PDK-së, ka theksuar se mbështet protestat për drejtësi për Arlindën.
Postimi i plotë:
Aktakuzë nga varri: “Për ju është rutinë, për mua është jetë.”
Arlinda e shkroi sa ishte gjallë. Sot, letra e tretë e publikuar na e sjell sërish zërin e saj: një grua që e pa rrezikun, e dokumentoi dhe kërkoi mbrojtje.
Çdo letër e saj kërkon përgjigje. Çdo thirrje e shpërfillur kërkon llogari. Secili që kishte detyrë të vepronte duhet të japë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e veta.
Drejtësi për Arlindën do të thotë edhe një sistem që i dëgjon gratë, i beson dhe i mbron në kohë. Që asnjë grua të mos ketë nevojë të na flasë nga varri për t’u dëgjuar.
I mbështes protestat për drejtësi për Arlindën, duke respektuar thirrjen e organizatorëve që ato të mbeten qytetare, pa ngjyrime partiake, me një kërkesë të përbashkët: llogaridhënie dhe mbrojtje të jetës së grave, sot dhe përherë!



