
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me çmimin “Global Diplomacy Award” në një ceremoni të organizuar në Turqi.
Në këtë ngjarje, të organizuar nga “Global Journalism Council”, morën pjesë mbi 350 përfaqësues nga 32 shtete të botës.
Osmani ka thënë se diplomacia e vërtetë ndërton ura dhe qëndron gjithmonë në anën e drejtësisë.
Ajo ia ka dedikuar çmimin popullit të Kosovës për sakrificën e tij për liri, si dhe presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Këtë çmim ia dedikoj, sikurse çdo çmim tjetër, popullit të përvuajtur të Kosovës, i cili sakrifikoi gjithçka, deri edhe fëmijët në djep, që ne sot ta gëzojmë lirinë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë se çmimin ia dedikon edhe Rugovës, të cilin e ka cilësuar At themeltar të Republikës së Kosovës.
“Njëkohësisht, ia dedikoj Atit themeltar të Republikës sonë, presidentit Ibrahim Rugova, i cili na mësoi rëndësinë e aleancave, të ndërtimit të urave dhe të kultivimit të miqësive”, ka theksuar ajo.
Osmani ka thënë se ky çmim është gjithashtu homazh për gazetarët që raportuan për krimet dhe vuajtjet e popullit të Kosovës gjatë luftës.
“Gazetaria e guximshme nuk është vetëm dëshmi e historisë, por edhe mbrojtje e jetës dhe e njerëzimit”, ka përfunduar Osmani.



