
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave për fëmijë me origjinë nga Kina.
Gjatë kontrolleve në pikat doganore është konstatuar se lodrat nuk i plotësonin kërkesat themelore të Rregullores për Sigurinë e Lodrave.
Inspektorati ka paralajmëruar se lodrat që nuk përmbushin kërkesat dhe standardet ligjore mund të paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve.
Aksioni është zhvilluar në kuadër të një aktiviteti të përbashkët për mbikëqyrjen e tregut në vendet anëtare të CEFTA-s, me synim forcimin e kontrolleve dhe parandalimin e hyrjes në treg të produkteve të pasigurta.



