
Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte mohuar në Tribunalin e Hagës pretendimet e Sllobodan Millosheviqit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës financohej nga trafikimi i drogës.
Gjatë përballjes së drejtpërdrejtë në maj të vitit 2002, Millosheviqi lexoi citime nga disa publikime të huaja, ku pretendohej se trafikimi i heroinës përdorej për financimin e UÇK-së, dhe e pyeti Rugovën nëse kjo ishte e vërtetë.
“Nuk është e vërtetë. Unë kam informacione se njerëzit e kanë ndihmuar UÇK-në dhe se njerëz të tjerë dolën për ta mbrojtur atë. Njerëzit luftuan kundër dhunës”, u përgjigj Rugova.
Ai tha se shqiptarët ishin akuzuar vazhdimisht për trafikim, por kundërshtoi që një pretendim i tillë të përgjithësohej për UÇK-në.
“Nuk mund të thuhet një gjë e tillë për UÇK-në në përgjithësi”, tha Rugova, duke shtuar se këto akuza i shihte si përpjekje të Millosheviqit për t’iu shmangur trajtimit të asaj që po ndodhte në Kosovë.
Gjatë dëshmisë, Rugova e mohoi edhe pretendimin e Millosheviqit se UÇK-ja ishte organizatë terroriste. Ai tha se ajo përbëhej nga njerëz që reaguan ndaj dhunës dhe represionit dhe që synonin lirinë për popullin e Kosovës.
Rugova foli edhe për luftëtarët e UÇK-së, duke thënë se shumica ishin njerëz të zakonshëm që dolën për të mbrojtur veten dhe shtëpitë e tyre. Si shembull përmendi Prekazin dhe Drenicën.



