
Mediumi serb “N1” ka shkruar një artikull relativisht të gjatë në lidhje me vendndodhjen e Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që akuzohet nga Kosova për sulmin terrorist në Banjskë.
Në artikull, N1, që është medium kundërshtar i regjimit të Aleksandar Vuçiqit, ka raportuar se Radoiçiqi ka mundësi të ketë ikur nga Serbia, transmeton Gazeta Politika.
“Pas përleshjes së armatosur në Banjskë dhe pranimit se e kishte organizuar sulmin, ndaj Milan Radoiçiqit po zhvillohet një procedurë gjyqësore në Beograd. Atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar largimi nga vendi” – shkruan N1, transmeton Gazeta Politika.
Tutje, N1 ka theksuar se Gjykata e Lartë në Beograd nuk ka njohuri për vendndodhjen e Radoiçiqit.
“Megjithatë, një ish-inspektor i Agjencisë serbe të Inteligjencës (BIA) i ka thënë televizionit N1 se ka informacione që Radoiçiqi ka shkuar në Rusi. Institucionet shtetërore nuk janë deklaruar për këtë çështje, ndërsa pyetjeve të N1 i është përgjigjur vetëm Gjykata e Lartë, por lidhur me masat ndaj Radoiçiqit dhe jo për vendndodhjen e tij” – thuhet në shkrimin e N1.
Tutje, në artikull, mediumi serb ka dhënë edhe një hipotezë rreth mundësisë së ikjes së Radoiçiqit nga Serbia.
“Mund të ketë ikur vetëm me pasaportë të falsifikuar ose me pasaportën e dikujt tjetër” – shkruan N1./Gazeta Politika.



