
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar një operacion të gjerë antidrogë në rajonin e Prishtinës, ku ka goditur një grup të organizuar të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.
Operacioni, i koduar “Heshtja”, është zhvilluar më 14 nëntor 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, përmes të cilit janë zbuluar dyshimet për funksionimin e një grupi me strukturë të organizuar dhe hierarki të qartë, nga personat në pozita drejtuese deri te shpërndarësit e drogës në rrugë.
Gjatë aksionit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe njësi të tjera policore, janë bastisur disa lokacione dhe janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Gjatë operacionit dhe vazhdimit të tij, policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe një substancë të panjohur.
Po ashtu, janë sekuestruar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan, si dhe telefona mobilë, pajisje elektronike e komunikimi dhe pajisje për vëzhgim.
Në mesin e provave të sekuestruara janë edhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve.
Sipas vlerësimeve të Policisë, kokaina e sekuestruar ka një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh, bazuar në çmimin e shitjes në tregun e rrugës. Ndërsa vlera e përgjithshme e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara, përfshirë veturat, orët, stolitë dhe paratë e gatshme, arrin në rreth 301 mijë euro.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa hetimet dhe veprimet operative janë duke vazhduar.



