
Sot janë bërë 26 vjet nga vrasja e Xhemajl Mustafës, gazetarit, publicistit, veprimtarit politik dhe njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit historik Ibrahim Rugova.
Mustafa u vra më 23 nëntor 2000, në hyrje të banesës së tij në lagjen Dardania të Prishtinës. Ai u qëllua derisa po kthehej në shtëpi, ndërsa vrasja e tij vazhdon të mbetet e pazbardhur, shkruan Gazeta Politika.
Në kohën e vrasjes, Mustafa ishte këshilltar i afërt i Rugovës, figurë e rëndësishme e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një prej zërave më të njohur të publicistikës politike shqiptare.
Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, ai shkroi vazhdimisht për zhvillimet politike në Kosovë, pavarësinë, raportet me Serbinë dhe klimën e rëndë të vrasjeve që kishte përfshirë vendin pas luftës.
Mustafa reagoi ashpër ndaj vrasjeve të shqiptarëve pas përfundimit të luftës. Në atë periudhë u vranë figura politike, ushtarake dhe publike, ndër ta ish-komandanti i UÇK-së Ekrem Rexha–Drini, veprimtari i LDK-së Shaban Manaj, arkitekti Rexhep Luci dhe studenti Benet Rexhepi.
Duke shkruar për këto raste, Mustafa i dënonte vrasjet si vazhdim të tragjedisë së Kosovës edhe pas largimit të forcave serbe.
Ai shkroi edhe për rezistencën politike të viteve ’90, duke vlerësuar se lëvizja demokratike kishte arritur ta reduktonte ndikimin e Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës pothuajse vetëm në aparatin represiv.
“Lëvizja demokratike e dekadës që shkoi duhet të respektohet për faktin se ajo ndikimin e Serbisë në Kosovë e reduktoi vetëm në aparatin represiv”, shkruante Mustafa, transmeton Gazeta Politika.
Sipas tij, gjatë gjithë viteve ’90 Beogradi nuk kishte arritur të krijonte një forcë politike proserbe mes shqiptarëve të Kosovës. Këtë ai e konsideronte një prej rezultateve të mëdha të rezistencës politike të asaj periudhe.
Një prej detajeve më simbolike është shkrimi i fundit i Mustafës.
Më 21 nëntor 2000, vetëm dy ditë para vrasjes, ai botoi në gazetën “Bota sot” shkrimin me titull “Urgjenca e pavarësisë”. Në të argumentonte se zgjidhja e statusit të Kosovës nuk duhej të zvarritej dhe se pavarësia duhej të trajtohej si çështje urgjente politike, transmeton Gazeta Politika.
Vrasja e Mustafës ndodhi në një periudhë kur Kosova po përballej me një varg atentatesh dhe vrasjesh të pazbardhura ndaj figurave politike, gazetarëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Edhe 26 vjet më vonë, askush nuk është dënuar për vrasjen e Xhemajl Mustafës./Gazeta Politika.



