
Ish-vjehrra e Arlinda Zekajt, Nurije Sylaj, dhe ish-kunati i saj, Driton Sylaj, janë ndaluar për 48 orë në lidhje me vrasjen e 49-vjeçares në Vitomiricë të Pejës, shkruan Gazeta Politika.
Sipas burimeve të IndeksOnline, ata dyshohen se e kanë ndihmuar Albert Sylajn pas kryerjes së krimit.
Në mesin e personave të ndaluar lidhur me rastin janë edhe Gëzim Bobi dhe Metë Pepaj. Deri tani nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera për rolin që dyshohet se kanë pasur në këtë rast.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Vrasja e saj nxiti reagime të shumta publike, protesta dhe kërkesa për drejtësi, si dhe për përgjegjësi institucionale lidhur me mënyrën se si ishin trajtuar denoncimet e mëparshme të viktimës.
Pas vrasjes u suspenduan kryeprokurorja dhe prokurorja e rastit, si dhe 11 zyrtarë policorë. Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje.
Kuvendi i Kosovës ka themeluar edhe një komision hetimor parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa personat e ndaluar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.



