
Amerika kurrë nuk pushon së befasuari. Fitorja e Zohran Mamdanit në zgjedhjet për kryetar bashkie të Nju-Jorkut është një ngjarje që tejkalon kufijtë e zakonshëm të politikës lokale. Një mysliman, bir emigrantësh, fitoi përballë forcave të pasurisë, të pushtetit dhe të një fushate të egër islamofobe e ksenofobe. Ajo që ndodhi në Nju-Jork është më shumë se një fitore elektorale: është një fitore historike e demokracisë mbi autoritarizmin, e lirisë mbi frikën, e dinjitetit mbi përbuzjen.
Për ata që e luftuan, kjo fitore është tronditëse; për ata që besojnë në demokraci, është një ringjallje e shpresës politike. Për vite me radhë, shpresa se politika mund të mbështetet mbi idealet e barazisë dhe drejtësisë ishte zbehur. Pushteti i parasë, ndikimi i lobimeve dhe ngritja e populizmit të djathtë kishin korrodhuar besimin qytetar. Në këtë terren të rrëshqitshëm, fitorja e Mamdanit është një sinjal i qartë që tregon se vullneti demokratik nuk është shuar; ai vetëm ishte shtypur nga zhurma e interesave të mëdha dhe e propagandës.
Në një epokë ku politika shpesh reduktohet në marketing dhe në menaxhim të pushtetit, Mamdani kujtoi se demokracia nuk është thjesht një procedurë, por një ideal moral dhe politik: qeverisja nga njerëzit, për njerëzit. Ai e riktheu kuptimin fillestar të demokracisë si vetëqeverisje qytetare, si pjesëmarrje aktive në çështjet e përbashkëta. Ky ishte thelbi i fushatës së tij, e cila nuk premtoi privilegje, por përgjegjësi; nuk ushqeu frikë, por bashkim rreth nevojave reale të qytetarëve.
Mamdani nuk u dorëzua përballë paragjykimeve e sulmeve. Ai nuk iu përgjigj urrejtjes me urrejtje, as nuk lejoi që frika ta ndante elektoratin sipas fesë apo prejardhjes. Në një kohë kur politika shpesh bie në mjerim dhe përçarje, ai e ngriti në atë që mund ta quajmë dinjiteti i politikës: aftësinë për ta parë tjetrin si qytetar të barabartë dhe për të vepruar bashkë për qëllime të përbashkëta. Fushata e tij ishte shembull i rrallë i demokracisë së gjallë, e ndërtuar mbi parimet më të mira të socializmit demokratik, të lirisë dhe të të drejtave të njeriut.
Ajo që e bëri fitoren e tij të mundur ishte fakti se Mamdani nuk foli për identitete, por për interesa të përbashkëta. Myslimanë e jomyslimanë, të krishterë, hebrenj, agnostikë, ateistë, queer e trans—të gjithë u bashkuan jo sepse ndanin një fe apo një kulturë, por sepse ndanin të njëjtat shqetësime: strehimin e përballueshëm, pagat e ndershme, arsimin publik dhe dinjitetin njerëzor. Ai kuptoi se vetëm aty ku qytetarët njohin interesat që i bashkojnë, mund të ndërtohet një politikë e përbashkët që kapërcen përkatësitë.
Ky është edhe kuptimi më i lartë i sekularizmit politik. Sekularizmi nuk është armiqësi ndaj fesë, por krijimi i një hapësire të përbashkët ku njerëzit me bindje dhe fe të ndryshme mund të gjejnë arsye e interesa përbashkëta. Ai është kushti që politika të mos shndërrohet në garë për dominim kulturor, por të mbetet hapësirë e bashkëveprimit qytetar. Vetëm në një hapësirë të tillë sekulare mund të ndodhë ajo që ndodhi në Nju-Jork: një bashkim politik që del nga diversiteti, jo përkundër tij.
Por fitorja e Mamdanit është më e madhe se vetë Nju-Jorku. Ajo është një fitore e demokracisë kundër forcave që duan ta gërryejnë atë nga brenda—kundër autoritarizmit, kundër ekstremizmit të djathtë, kundër politikës së urrejtjes që e sheh pushtetin si privilegj për të pasurit. Është një refuzim i qartë i mashtrimeve të Donald Trumpit, i cili premtoi përmirësim për të gjithë, por përfundoi duke pasuruar vetëm donatorët e tij më të fuqishëm. Fitorja e Mamdanit është një kritikë e heshtur, por e pamëshirshme, ndaj asaj politike që e sheh qytetarin si mjet, jo si qëllim.
Por ajo është edhe një fitore e shpresës politike. Sepse demokracia nuk është kurrë e garantuar; ajo kërkon rigjenerim të vazhdueshëm. Në çdo brez lind rreziku që qytetarët të lodhen, të mbyllen në interesat e tyre private, e të braktisin hapësirën publike. Çdo fitore demokratike që lind nga poshtë, si kjo e Mamdanit, e ringjall besimin se politika mund të jetë përsëri mjet i emancipimit kolektiv. Kjo është arsyeja pse kjo ngjarje rezonon shumë më larg se Nju-Jorku: ajo frymëzon njerëz në të gjithë botën që kanë harruar se demokracia është një përpjekje e përbashkët për të jetuar me dinjitet.
Në një kuptim më të gjerë, Mamdani përfaqëson atë që demokracia duhet të jetë: një politikë që nuk frikësohet nga pluralizmi, por e sheh atë si pasuri; një politikë që nuk ndërton unitet mbi ngjashmëritë, por mbi përgjegjësinë e përbashkët. Demokracia nuk kërkon qytetarë të ngjashëm, por qytetarë që janë të gatshëm të dëgjojnë, të kuptojnë dhe të veprojnë së bashku për atë që është e drejtë. Pikërisht këtë frymë solli Mamdani në jetën publike amerikane: një kujtesë se liria dhe barazia nuk janë dhurata të përjetshme, por arritje që duhen mbrojtur e ripërtërirë përherë.
Në këtë kuptim, kjo nuk është fitorja e Mamdanit, por fitorja e demokracisë vetë. Një dëshmi se, pavarësisht gjithë korrupsionit, frikës dhe pabarazisë, vullneti qytetar mund ende të ngrihet dhe të thotë jo. Është një kujtesë se shpresa nuk është koncept romantik, por fakt politik—se kur njerëzit kuptojnë se e ardhmja nuk është pronë e askujt, por përgjegjësi e përbashkët, demokracia mund të rigjenerohet.
Nga kjo fitore mund të mësojnë edhe udhëheqësit tanë politikë: të lënë mënjanë interesat e ngushta e llogaritjet e momentit, dhe të veprojnë për të mirën e përbashkët, për ato interesa që u shërbejnë të gjithë qytetarëve. Ende është e mundur të bësh mirë, të qëndrosh bashkë dhe të veprosh për vendin e për njerëzit e tij. Sepse politika, në fund të fundit, është një përpjekje e përbashkët për të jetuar si qytetarë të barabartë në një botë të përbashkët.



