Dosja e Astrit Isufit: Dhunë fizike dhe kanosje ndaj bashkëshortes ditën e Bajramit

Astrit Isufi akuzohet për dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes dhe kanosje për jetën e saj dhe familjes, sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com.

Kallxo.com ka siguruar dosjen e Astrit Isufit, të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Gollubovc të Malishevës, në të cilën përshkruhet se i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike dhe kanosje ndaj gruas së tij më 30 mars 2025, ditën e festës së Bajramit.

banner

Sipas dosjes, mëngjesin e atij dite, Isufi e kishte goditur gruan e tij me peshqir duke i kërkuar të zgjonte fëmijët. Kur fëmijët nuk u zgjuan, ai e kishte sulmuar sërish me shuplaka dhe grushte. Më vonë, kur u kthye nga përshëndetja e familjarëve për festën, kishte nisur një tjetër episod dhune për shkak të mungesës së një produkti ushqimor, duke gjuajtur pjata në tokë dhe duke e goditur gruan me kabllo rryme. Vajza e tyre kishte kërkuar nga babai të ndalonte, por Isufi kishte vazhduar dhunën deri sa gruaja ishte dëmtuar.

Në të njëjtën ditë, Astrit Isufi e kishte kanosur gruan e tij:

“Ti nuk guxon me u nda me mua, se ka me ta vra familjen, ka me t’i faru krejt.”

Kërcënimet dhe dhuna kishin shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetën e gruas.

Gjykata në Prishtinë – Dega në Drenas, e ka dënuar Astrit Isufin me 154 ditë burg dhe 300 euro gjobë për dhunë në familje, ndërsa për kanosje e ka gjobitur me 500 euro.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.