
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj kërkesës së PDK-së për përsëritjen e votimit në Mitrovicë, duke e cilësuar atë si tentim për devijim të demokracisë dhe jo mbrojtje të votës së lirë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për përsëritjen e votimit në Mitrovicë. Ajo ka theksuar se nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se gabimi teknik me numrin serik në fletëvotime është paraqitur si në Mitrovicë ashtu edhe në Gjakovë, atëherë është e pakuptimtë pse PDK kërkon përsëritje vetëm për Mitrovicën.
“Nëse kemi konfirmim nga KQZ se gabimi teknik është paraqitur në Mitrovicë dhe Gjakovë, pse me kaq ngulm PDK kërkon përsëritjen e votimit vetëm për Mitrovicën? Pse nuk e kërkojnë edhe për Gjakovën, nëse sipas tyre është në pyetje ‘mbrojtja e votës së lirë’?”, ka pyetur Kusari-Lila.
Sipas saj, qëllimi i PDK-së nuk është mbrojtja e demokracisë apo e vullnetit të qytetarëve, por ruajtja e pushtetit në Mitrovicë. “Nuk e kërkojnë për Gjakovën sepse qëllimin nuk e kanë te demokracia dhe vullneti i qytetarëve, por te mundësia e tretë për ta mbajt Mitrovicën. Nuk po pajtohen që dy raunde të votimit dhe dy raunde të exit poll-it i humbën atje, prandaj po e kërkojnë me ngulm të tretin”, ka shtuar ajo.
Kusari-Lila ka përfunduar se kërkesa e PDK-së nuk bazohet në parimin e demokracisë, por në përpjekjen për ta devijuar atë, duke theksuar se mundësi për zgjedhje të reja lokale do të ketë pas katër vitesh.



