LDK nuk do të mbështesë qeverinë e re të VV-së

Berat Rukiqi dhe Alban Zogaj deklaruan se LDK nuk ka marrë asnjë ftesë të re nga Glauk Konjufca dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më shpejt.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë bërë të ditur se nuk kanë marrë asnjë ftesë të re nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, lidhur me formimin e qeverisë së re. Ata theksuan se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar – LDK nuk do të votojë për asnjë lloj qeverie në këtë fazë.

banner

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, tha se procesi i mandatarit të ri është vetëm një taktikë e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për të fituar kohë.

“Asnjë ftesë të re, në asnjë rrethanë nuk ka votë për asnjë lloj qeverie e cila tash është veç një taktikë e re për të blerë kohë. Nuk ka shumicë dhe derisa nuk ka marrëveshje politike, LDK nuk jep votë. Presim që kjo blerje kohe nga VV të përfundojë dhe të shkojmë në zgjedhje,” – deklaroi Rukiqi.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe deputeti Alban Zogaj, i cili tha se nuk kanë informacione nëse ndonjë nga anëtarët e LDK-së është kontaktuar nga VV.

“S’kemi ndonjë informacion që është kontaktuar ndonjë prej anëtarëve. S’ka pasur qasje institucionale e as individuale,” – tha Zogaj.

Kujtojmë se më 4 nëntor, presidentja Vjosa Osmani e mandatoi Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë së re, pasi dështoi mandati i parë i Albin Kurtit. Osmani kishte theksuar se Vetëvendosje beson se mund t’i sigurojë 61 vota, të nevojshme për krijimin e shumicës parlamentare. Megjithatë, deri më tani, asnjë parti tjetër nuk ka paraqitur propozim alternativ për mandatarin.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.