
Të paktën 11 persona u lënduan nga sulmet e kombinuara me raketa dhe dronë; autoritetet paralajmërojnë ndërprerje të energjisë dhe ujit.
Rusia kreu një sulm masiv të kombinuar ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit, në orët e para të së premtes, duke shkaktuar zjarre në disa distrikte, njoftoi kryetari i qytetit, Vitali Klitschko. Sipas tij, nga sulmet janë lënduar të paktën 11 persona, ndërsa ekipet emergjente janë angazhuar në disa zona të goditura.
Pesë persona janë dërguar në spital, përfshirë një burrë në gjendje kritike dhe një grua shtatzënë, pas një serie shpërthimesh të fuqishme që u dëgjuan në qytet. Sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan menjëherë për të penguar valën e sulmeve, raporton “The Guardian”.
Zyrtarët lokalë thanë se sulmet ishin ende aktive dhe u bënë thirrje banorëve të qëndronin në strehimore derisa alarmi i sulmeve ajrore të çaktivizohej. Autoritetet paralajmëruan ndërprerje të mundshme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan disa zona të Kievit të kapluara nga flakët, ndërsa banorët shiheshin duke qëndruar pranë rrënojave të ndërtesave të dëmtuara.
“Rusët po godasin ndërtesat e banimit. Ka shumë ndërtesa shumëkatëshe të dëmtuara, pothuajse në secilin distrikt”, tha Tymur Tkachenko, drejtor i administratës ushtarake të Kievit, përmes një postimi në “Telegram”. Ai konfirmoi se sulmet përfshinë si raketa, ashtu edhe dronë, dhe se ekipet e emergjencës po punojnë në disa lagje paralelisht.
Sipas kryetarit Klitschko, sulmet kanë dëmtuar edhe sistemin e ngrohjes së qytetit, duke shkaktuar pengesa në një prej distrikteve, ndërsa probleme të ngjashme priten edhe në furnizimin me energji elektrike dhe ujë.
Në rajonin përreth Kievit, sulmet ruse kanë dëmtuar infrastrukturën kritike dhe disa shtëpi private, duke lënduar të paktën një civil, konfirmoi guvernatori në detyrë, Mykola Kalashnyk.



