Enver Hoxhaj kërkon shtyrjen e Konventës së PDK-së: Partia ka nevojë për vizion të ri, jo skema të vjetra

Hoxhaj thotë se ngutia e procesit nuk garanton garë cilësore dhe i bën thirrje Kryesisë që delegatëve t’u jepet kohë për t’u njohur me kandidaturat dhe platformat.

Anëtari i lartë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kërkuar publikisht që Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila pritet të zgjedhë kryetarin e ri, të shtyhet për të paktën deri të dielën e ardhshme. Ai thekson se një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër, sidomos pas zhvillimeve të fundit të cilat i cilëson “të befasishme”.

banner

Sipas Hoxhajt, shtyrja e Konventës do t’u jepte mundësi anëtarëve dhe delegatëve të njihen më mirë me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë, si dhe për çështjet madhore që prekin vendin.

Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave,” tha ai, duke theksuar se aktualisht nuk ka kushte për një garë të mirëfilltë.

Ai paralajmëroi se ngutia e procesit nuk mund të garantojë as reformimin dhe as unitetin e domosdoshëm për PDK-në. Hoxhaj u shpreh se në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është e nevojshme për të mundësuar zgjedhje të lira dhe pasurim të platformave, duke çuar drejt një vizioni të përbashkët për partinë.

Në deklaratën e tij, Hoxhaj kritikoi edhe mënyrën si është menaxhuar procesi pas dorëheqjes së kryetarit, duke thënë se preferencat e shprehura për pasuesin krijojnë përshtypjen e “skemave të sajuara e të paragjykuara”. Ai kërkoi që gara të hapet për të gjithë dhe baza e partisë të ketë kohën e nevojshme për të shprehur vullnetin pa presion apo imponime.

Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët,” u shpreh ai.

Duke e përfunduar deklaratën me një thirrje për ndryshim, Hoxhaj theksoi se PDK-ja ka nevojë për drejtim dhe vizion të ri.

Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë,” deklaroi ai.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.