
Kryetari i Prishtinës dorëzon kërkesë urgjente në Kushtetuese për bllokimin e buxhetit, ndërsa ministri Murati e sfidon që LDK ta votojë nesër në Kuvend. Debati mes tyre shndërrohet në përplasje të hapur politike.
Debati mes Përparim Ramës dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, është ashpërsuar edhe më tej, pasi bllokimi i buxhetit të kryeqytetit ka shkaktuar reagime të forta politike dhe institucionale. Kryetari i Prishtinës ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Murati e ka sfiduar publikisht LDK-në që ta votojë buxhetin në Kuvend, duke e zhvendosur debatin nga niveli lokal në atë kombëtar dhe partiak. Përplasja midis tyre ka marrë tone të ashpra, duke reflektuar tensionet e thelluara mes pushtetit lokal dhe qendror.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese pas, siç e quan ai, “bllokimit arbitrar” të buxhetit të Kryeqytetit nga Ministria e Financave.
Sipas Ramës, ky veprim ka vënë në rrezik funksionimin e shërbimeve bazë për qytetarët, nga pastërtia, mirëmbajtja e infrastrukturës, siguria sociale, e deri te pagesat për punëtorët dhe kontraktuesit.
“Kjo është goditje politike ndaj Kryeqytetit dhe ndaj vetë qytetarëve, të cilën nuk mund ta tolerojmë,” shkruan Rama, duke theksuar se kërkesa në Kushtetuese ka për qëllim mbrojtjen e ligjit dhe pavarësisë së komunave.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, reagoi menjëherë duke i thënë Ramës se nëse vërtet Prishtina po pengohet, atëherë LDK-ja, me kryetarin e saj Lumir Abdixhikun, mund ta votojë nesër buxhetin në Kuvend dhe të mundësojë alokimin e plotë për vitin 2025.
“Kurse ti, nëse je kryetar i Prishtinës, sillu si i tillë. Leje propagandën e çu kap puno naj sen, se ta murr uji qytetin,” shkroi Murati, duke e akuzuar Ramën për mungesë menaxhimi.
Rama reagoi përsëri, duke i thënë Muratit se Prishtina e ka kryetarin e saj, LDK e ka mandatin e qytetarëve, dhe, sipas tij, Kosova “shumë shpejt” do ta ketë kryeministrin e ri, Lumir Abdixhikun.
“Sa herë përpiqeni të krijoni përçarje mes nesh, thjesht e bëni më të qartë dallimin në kulturë politike. Ne ju shohim, ju lexojmë, por nuk biem në nivelin tuaj,” u shpreh Rama, duke shtuar se Qeveria ka përballë një kallëzim penal dhe një lëndë në Kushtetuese për bllokimin e buxhetit.
Përplasja Rama–Murati pritet të vazhdojë, me seancën e nesërme të Kuvendit që mund të jetë vendimtare për fatin financiar të kryeqytetit.



