
Deputeti i LDK-së thotë se vendi po izolohet nga keqqeverisja dhe u bën thirrje qytetarëve ta ndëshkojnë Kurtin.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në një intervistë për ABC News ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka mashtruar publikun duke pretenduar se i ka numrat për formimin e qeverisë. Ai theksoi se pa marrëveshje ndërmjet subjekteve politike, nuk mund të ketë qeveri funksionale.
“Nuk është gjë e mirë shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, por ne kemi thënë që VV si parti e parë nuk i ka numrat dhe ata në vazhdimësi na kanë mashtruar edhe ne. Thirreshin në bllokimin e Kuvendit dhe pasi u krijua mundësia e zgjedhjes rezultoi se VV nuk i ka numrat dhe asnjë subjekt nuk ka marrëveshje me ta”, deklaroi Zemaj.
Ai u shpreh se LDK-ja mbetet alternativa më serioze për qeverisje, ndërsa akuzoi ekzekutivin aktual për keqmenaxhim, korrupsion dhe izolim të vendit.
“Besojmë që kemi pasur një parti në pushtet që nuk ka ditur të menaxhojë paratë publike. Kosova ka humbur shumë kohë, është izoluar ndërkombëtarisht, ka pasur korrupsion të madh dhe vjedhje të fondit të rezervave shtetërore. Edhe në energji ka krim të madh, ndërsa në Shëndetësi ka hetime. Ne duhet ta ndëshkojmë këtë keqqeverisje”, u shpreh deputeti i LDK-së.
Zemaj kujtoi se LDK-ja ka garuar me program të plotë edhe në zgjedhjet e fundit, me politika strategjike dhe plane për mirëqenie dhe zhvillim.



