
LDK kujton Heroin e Kosovës, Xhemail Mustafa, në 25-vjetorin e vrasjes së tij.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar veprimtarin dhe Heroin e Kosovës, Xhemail Mustafa, në 25-vjetorin e vrasjes së tij. Përmes një deklarate, Abdixhiku theksoi se muaji nëntor, ndonëse i festave kombëtare, mbetet i mbushur me dhembje për familjen Mustafa, LDK-në dhe gjithë vendin, pasi më 23 nëntor të vitit 2000 u vra tinëzisht para banesës së tij Xhemail Mustafa – intelektuali dhe demokrati i madh.
Abdixhiku e përshkroi Mustafën si njeri të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare, fjalëpak, punëtor të palodhur dhe një nga ideatorët e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili qëndroi gjithmonë krah Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, në periudhat më të rënda të shtetformimit. Ai nënvizoi se jeta dhe vepra e Mustafës janë të mbushura me sakrificë, përkushtim dhe ideale të palëkundura.
Në cilësinë e gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit, Mustafa përdori penën si armën e tij më të fortë, duke lënë pas një krijimtari të pasur që rikthen kujtimet e viteve më të errëta të ekzistencës shqiptare. Ndër veprat e tij më të njohura, Abdixhiku veçoi librin “Një lutje për Prishtinën”, të cilin e cilësoi si pasqyrë të gjallë të realitetit të Kosovës së vitit 1999.
Abdixhiku theksoi se Xhemail Mustafa ishte zëri kumbues i së vërtetës për luftën në Kosovë, një zë që jehonte deri në qendrat më të rëndësishme ndërkombëtare. Ai shtoi se, edhe pse Mustafa u shua fizikisht, ideali, kontributi atdhetar dhe krijimtaria e tij mbeten të gjalla në themelet e Republikës së Kosovës. Kreu i LDK-së rikujtoi se dhimbja për humbjen e tij rëndohet nga fakti që ky krim ende nuk është zbardhur, duke theksuar se përgjegjësi e institucioneve është gjetja e autorëve.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për veprimtarin e shquar, Xhemail Mustafa”, përmbylli Abdixhiku.
Në nder të 25-vjetorit të vrasjes së Mustafës, nesër (e hënë), në ora 12:00, në ish-objektin e Gërmisë pranë sheshit “Skënderbeu”, do të mbahet Akademi Përkujtimore.



