Avdullah Hoti: Dardan Sejdiu po gënjen për blerjen e autobusëve në Prishtin

Ish-kryeministri thotë se problemi ka qenë tek Komuna, jo tek Qeveria, dhe paralajmëron veprime ligjore nëse nuk kërkohet falje publike.

Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka reaguar pas postimit të ish-nënkryetarit të Prishtinës, Dardan Sejdiu, lidhur me blerjen e autobusëve për Trafikun Urban në Prishtinë në vitin 2017, duke e akuzuar atë se po gënjen.

banner

Hoti shpjegon se problemi nuk ka qenë tek Qeveria, por tek Komuna e Prishtinës.

“Jam i sigurt se ai e di se ajo që po deklaron nuk është e vërtetë. Ai e di se problemi ka qenë te Komuna e Prishtinës, e jo te Qeveria. Ai dhe shefi i tij nuk e kryenin detyrimin ligjor përmes nxjerrjes së vendimit nga Kuvendi i Komunës, me të cilin vendim Komuna e Prishtinës garantonte pagesën e kredisë nëse NP Trafiku Urban dështon të paguajë kredinë. Sapo ky vendim u miratua në Kuvendin e Komunës, marrëveshja është proceduar në Qeveri dhe më tutje.”

Ai thekson se qëllimi i Sejdiut është politik.

“Arsyen pse z. Sejdiu po vazhdon me këtë gënjeshtër edhe pas tetë vitesh e di vetëm ai. Atëherë, ai dhe partia e tij e bënë kauzë politike këtë çështje për të mbuluar dështimet e veta në Prishtinë.”

Hoti paralajmëron veprime ligjore në rast të mos kërkimit të faljes.

“E kam toleruar atëherë, por jo sot. Nëse nuk kërkon falje publike, do të detyrohem ta padis për shpifje.”

Ai gjithashtu e kritikon Sejdiun dhe shefin e tij për fokusin e tyre në organet e drejtësisë pas marrjes së qeverisjes së Prishtinës.

“Sikur dikush në Qeverinë e atëhershme të kishte bërë shkelje ligjore duke mos vepruar sipas detyrës zyrtare dhe detyrimit ligjor, jam i sigurt se z. Sejdiu dhe shefi i tij në Komunën e Prishtinës do ta dërgonin çështjen në gjykatë. Ky person dhe shefi i tij kanë qenë ‘shumë të zellshëm’ në dërgimin e 70 dosjeve në organet e drejtësisë sapo e morën qeverisjen e Prishtinës pas zgjedhjeve të vitit 2013. Asnjë lëndë nuk është konfirmuar nga organet e drejtësisë. Të gjitha janë hedhur poshtë pa përjashtim. Është dëshmuar se të gjitha këto dosje kanë qenë pjesë e agjendës politike të ulët dhe të ndyrë kundër LDK-së, Kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa dhe meje si ministër i Financave.”

Ai përfundon duke e vënë theksin te pasojat e politikës së Sejdiut.

“Sikur ky dhe shefi i tij të kishin qenë të zellshëm për të punuar për Prishtinën aq sa kanë qenë të zellshëm duke rrëmuar nëpër arkiva të komunës për të bërë dosje për prokurori, sigurisht se sot Përparim Rama do të merrej me projekte të tjera, e jo me projektet e lëna përgjysmë apo projektet e ideuara që nga qeverisja e Isa Mustafës. Më vjen keq për z. Sejdiu që pas kaq vitesh ende nuk është vetëdijesuar se ka qenë pjesë e një politike të ndyrë që po vazhdon edhe sot t’i sjellë vetëm dëme Kosovës.”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.