LDK nominon Abdixhikun për kryeministër, lista e hapur për Fatmir Limajn

Abdixhiku heq dorë nga renditja e listës zgjedhore; LDK-ja lë hapësirë në listë për parti dhe individë, përfshirë edhe Nismën e Fatmir Limajt.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nominuar kryetarin e saj, Lumir Abdixhikun, si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Vendimi u bë i ditur nga vetë Abdixhiku në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së partisë. Ai konfirmoi se emri i tij do t’i kalojë për procedurë edhe Këshillit të Përgjithshëm.

banner

“Tek çështja e kandidatit për kryeministër ishte diskutim i shkurtër”, tha Abdixhiku, duke shtuar se qëndrimi i Kryesisë ishte i qartë: përderisa ai është kryetar partie, nuk duhet të ketë kandidat tjetër për kryeministër.

Abdixhiku bëri të ditur gjithashtu se ka hequr dorë nga e drejta për të bërë renditjen e listës zgjedhore. “Hoqa dorë nga renditja për ta bërë listën… LDK garon e vetme në këtë garë, por brenda listës do të zhvillojë diskutime me akterë dhe parti që mund të jenë pjesë e saj”, u shpreh ai.

Një pjesë e listës së LDK-së mbetet e hapur edhe për subjekte të tjera politike, përfshirë edhe Nismën e Fatmir Limajt. “LDK do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hapë për partitë e tjera, përfshirë edhe z. Limaj me deputetët e vet. Për këtë çështje do të diskutojmë ditëve në vijim, por le të themi se kemi gatishmëri”, deklaroi Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja është e hapur “edhe për partitë, edhe për individë”, duke lënë të kuptohet se lista zgjedhore do të jetë fleksibile dhe e ndërtuar përmes marrëveshjeve të mundshme politike.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.