
Ambasadori Aivo Orav hap ekspozitën “BE-në përkrah”, duke theksuar rolin kyç të Bashkimit Evropian në zhvillimin e Kosovës.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka investuar plot 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999, duke e bërë BE-në partnerin më të madh dhe më të besueshëm të vendit.
Këto komente Orav i bëri gjatë hapjes së ekspozitës fotografike “BE-në përkrah”, e cila u inaugurua sot në Prishtinë. Ekspozita paraqet përmes fotografive ndikimin e projekteve të BE-së në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve në fusha si zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, arsimi, infrastruktura dhe mbrojtja e mjedisit.
“Me 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja mbetet partneri juaj më i fortë, më i besueshëm dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare”, tha Orav, duke shtuar se angazhimi i BE-së për zhvillimin dhe transformimin e Kosovës vazhdon pa ndërprerje.
Sipas tij, Bashkimi Evropian synon të vazhdojë mbështetjen për reformat kyçe që i afrojnë qytetarët e Kosovës standardeve evropiane dhe rrugës drejt integrimit.



