
Anëtari i kryesisë së AAK-së hedh poshtë pretendimet se kjo parti ka lidhje me Millan Radoiçiqin, duke theksuar sakrificat e Ramush Haradinajt në luftë.
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, në emisionin DPT te Fidani në Klan Kosova, ka komentuar situatën e tensionuar politike në vend dhe akuzat e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilave, sipas tyre, partitë opozitare po paraqiten në një linjë me Millan Radoiçiqin – serbin e akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Tahiri u ndal veçanërisht te akuzat që VV-ja ia ka adresuar liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt. Ai i cilësoi këto deklarata të pavërteta dhe të papranueshme, duke theksuar se Haradinaj ka dëshmuar me vepra sakrificën e tij në luftë.
“Haradinaj i ka 7 ose 8 plagë në trup nga granatat. As vetë s’e di sa i ka. Veç në skaner që i sheh njeriu në trup të vet, sa herë ndërron koha,” tha Tahiri, duke nënvizuar se akuzat e tilla nuk mund të qëndrojnë ndaj një njeriu që ka kaluar nëpër beteja e rreziqe për vendin.
Ai shtoi se AAK-ja ka qenë gjithmonë në krah të institucioneve të shtetit dhe se përpjekjet për ta lidhur partinë apo liderin e saj me figura kriminale janë tentativë për divertim politik.



