
Kreu i LDK-së takon asamblistët më të votuar dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të regjistrohen për zgjedhje.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se është takuar sot me asamblistët më të votuar nga mërgata. Sipas tij, kontributi i bashkatdhetarëve ka bërë që LDK-ja të dalë e para nga vota e diasporës, raporton Klankosova.tv.
Abdixhiku tha se, ashtu si në zgjedhjet e kaluara lokale, LDK-ja i pret sërish mërgimtarët të angazhohen dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Po ashtu, ai përsëriti thirrjen për regjistrim, duke theksuar rëndësinë e çdo vote.
“Ky është një moment historik për LDK-në dhe një mesazh i qartë nga mërgata jonë. Nga ky takim, bashkë me ta, përsërisim thirrjen për regjistrim. Kemi edhe 9 ditë kohë. Çdo ditë vlen e çdo votë përcakton të ardhmen e atdheut tonë”, u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë gjatë fundvitit nuk kanë nevojë të regjistrohen paraprakisht. “Ju presim këtu, në votë dhe në festë!”, tha kreu i LDK-së.



