
Deputetja e Vetëvendosjes u kërkon mërgimtarëve të regjistrohen për votimin me postë deri më 6 dhjetor.
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video në Facebook, ku ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, veçanërisht nga bashkatdhetarët. Ajo tha se vota e diasporës ka një rol vendimtar në përcaktimin e rezultatit.
Haxhiu u ka kërkuar të gjithë atyre që nuk mund të jenë fizikisht në Kosovë më 28 dhjetor të regjistrohen për votimin me postë sa më shpejt, duke theksuar se afati është shumë i shkurtër.
“Çdo votë ka peshë, e vota juaj është vendimtare. E ju që nuk mund të vini, ju ftoj që sa më parë të regjistroheni, sepse afati është tepër i shkurtër deri më 6 dhjetor, në rast se nuk mund të jeni fizikisht më 28 dhjetor në Kosovë”, ka deklaruar Haxhiu.



