
Ish-bashkëshortja e të ndjerit, Ardita Hasani, dhe djali i saj kishin paraqitur kallëzim në Polici para vdekjes së Bedri Hazirit, duke ngritur dyshime për ndërhyrje në procesin e divorcit dhe pasurinë.
Dy ditë më parë, deputeti Lutfi Haziri njoftoi vdekjen e vëllait të tij, Bedri Haziri. Mirëpo, sipas një kallëzimi të bërë pak ditë para vdekjes së të ndjerit, ish-bashkëshortja e tij, Ardita Hasani, dhe djali i tyre e kishin raportuar rastin në Polici, duke ngritur akuza të rënda ndaj deputetit Haziri.
Sipas kallëzimit, Ardita Hasani dhe djali i saj dyshojnë se deputeti ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e divorcit të Bedri Hazirit, duke pretenduar se qëllimi ka qenë që pasuria e të ndjerit, në rast vdekjeje, të kalonte tek ai. Ata pretendojnë se në këtë mënyrë Ardita Hasani do të mbetej pa hisen që, sipas saj, i takon ligjërisht.
Ardita ka deklaruar se ish-bashkëshorti i saj është ndikuar dhe se për këtë arsye ai e kishte larguar nga shtëpia dhe kishte kërkuar divorc pas 27 vjetësh martesë.
Sot, Ardita Hasani-Haziri ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, ku tregon se nuk iu lejua të mbante një fjalë lamtumire në ceremoninë mortore të ish-bashkëshortit. Ajo e cilëson këtë si “padrejtësinë më të rëndë” në një ndër ditët më të dhimbshme të jetës së saj.
“U pengova të flisja, u hesht zëri im… në një ceremoni që duhej të ishte e shenjtë, m’u mohua një e drejtë njerëzore dhe morale: t’i jap burrit tim përshëndetjen që i takonte”, ka shkruar ajo në reagimin e saj publik.



