Hill rrëzon mitin: Arrestimi i Fatos Nanos nuk u bë me bekimin e SHBA-së

Hill: Narrativa se amerikanët kërkuan burgosjen e Nanos është “100% gënjeshtër” dhe shërben vetëm retorikës anti-amerikane.

Me mbi tre dekada përvojë diplomatike në Ballkan, ambasadori amerikan Christopher Hill, një nga dëshmitarët më të afërt të tranzicionit politik të Shqipërisë, ka hedhur poshtë një nga narrativat më të përhapura të politikës së viteve ’90: se arrestimi i Fatos Nanos në vitin 1993 u krye me miratimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

banner

Në një intervistë për Top Channel, Hill theksoi se ky version është plotësisht i pavërtetë dhe nuk ka asnjë lidhje me realitetin e asaj kohe.

“Jo, aspak. Mund të them me siguri sepse isha këtu deri në verën e vitit 1993 – dhe kjo është 100% gënjeshtër. Unë isha këtu. Dhe kurrë, askund, nuk kam dëgjuar që një ambasador amerikan të thotë: ‘Vendoseni në burg’”, deklaroi ai.

Hill shtoi se kjo narrativë është përdorur më shumë për qëllime politike dhe për të ushqyer qëndrimet anti-amerikane sesa për të pasqyruar të vërtetën historike.

“Nuk ka asgjë të bëjë me ne, sigurisht që jo. Edhe pse pas largimit tim nuk mund të them çfarë ka ndodhur më pas, dyshoj shumë. Mendoj se disa njerëzve u interesonte të thoshin se Nano u burgos për shkak të amerikanëve – por kjo është vetëm një deklaratë anti-amerikane”, u shpreh ai.

Diplomati i njohur, i cili ndoqi nga afër vitet e para të tranzicionit shqiptar, theksoi se SHBA-të nuk kanë pasur asnjë rol në arrestimin e liderit socialist, duke rrëzuar kështu një nga mitet më të qëndrueshme të historisë politike të Shqipërisë pas vitit 1990.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.