Profesori kosovar me shpikje inovative: Universiteti i Prishtinës patenton ventilator mekanik të avancuar

Shpikja e profesor Arbnor Pajazitit, e zhvilluar me kontributin e inxhinierit Petrit Abdyli, pritet të gjejë përdorim të gjerë në mjekësi, industri dhe mekatronikë.

Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, Arbnor Pajaziti, ka marrë zyrtarisht patentën për shpikjen e tij inovative “Ventilatori Mekanik me Lidhje Rivepruese të Rregullimit”. Patenta është miratuar nga Agjencia për Pronësi Industriale e Republikës së Kosovës dhe është e vlefshme deri më 2 shkurt 2044.

banner

Kjo pajisje e avancuar, e cila ofron kontroll të sofistikuar të proceseve të ventilimit, ka potencial të gjerë përdorimi në sektorin mjekësor, në industri dhe në fushën e mekatronikës. Në zhvillimin e saj ka kontribuar ndjeshëm edhe inxhinieri Petrit Abdyli, i diplomuar në nivel master në të njëjtin fakultet, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në finalizimin e projektit.

Sipas Universitetit të Prishtinës, ideja për këtë ventilator mekanik lindi gjatë pandemisë Covid-19, në kohën kur mësimi zhvillohej online dhe kur kishte mungesë të theksuar të pajisjeve të tilla. Projekti u financua nga Bashkimi Evropian dhe Rektorati i UP-së.

Ventilatori i patentuar vlerësohet si një dëshmi e fuqisë inovative të universitetit publik në Kosovë, duke treguar se institucionet akademike të vendit janë në hap me trendet moderne të teknologjisë dhe kërkimit shkencor. UP-ja e konsideron këtë patentim një arritje të rëndësishme që nxit kreativitetin, zhvillimin shkencor dhe hap mundësi për aplikime praktike brenda dhe jashtë vendit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.