
Vonesat vijnë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme; mbi 57 mijë votues jashtë vendit do të votojnë përmes postës, ndërsa votimi fizik do të zhvillohet në 24 shtete.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke pritur ardhjen e fletëvotimeve nga Sllovenia, ku ato po shtypen, për të nisur procesin e votimit jashtë Kosovës për qytetarët e regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për RTK se, për shkak të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme brenda një periudhe të shkurtër kohore, votimi përmes postës nuk do të mund të fillojë më 12 dhjetor, siç ishte planifikuar fillimisht. Sipas tij, të gjitha përgatitjet po bëhen që procesi të nisë në fillim të javës së ardhshme.
“Aktualisht janë duke u shtypur fletëvotimet për votuesit jashtë Kosovës, që i takojnë votimit me postë – dhe planifikojmë që ato të sillen në Kosovë gjatë ditës së premte, 12 dhjetor. Pasi këto fletëvotime të arrijnë, shërbimi votues do të përgatit pakot për çdo votues dhe përmes kontraktorit do t’i dërgojë në adresat e tyre”, ka deklaruar Elezi. Ai shtoi se për shkak të natyrës së zgjedhjeve të parakohshme, procesi i votimit me postë nuk do të nisë sipas afatit fillestar, por synohet që ai të fillojë në ditët e para të javës së ardhshme.
Nga gjithsej 77.085 votues të regjistruar jashtë vendit, 57.829 kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, ndërsa mbi 19.260 të tjerë janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike.
Votimi përmes postës, sipas afateve ligjore, përfundon më 27 dhjetor. Në të njëjtën datë do të zhvillohet edhe votimi fizik në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, një ditë para zgjedhjeve në vend. Elezi bëri të ditur se procesi do të organizohet në 24 shtete të ndryshme, në gjithsej 23 ambasada dhe 14 konsullata. Numri i votuesve të regjistruar për të votuar fizikisht në këto qendra është 19.256.
Fillimisht, KQZ kishte planifikuar që votimi jashtë vendit të mbahej në 50 përfaqësi diplomatike në 36 shtete, si dhe në 10 qendra shtesë jashtë përfaqësive. Por, pas vendimit të 10 dhjetorit dhe duke u bazuar në të dhënat e regjistrimit, si dhe në aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe vendimin e PZAP-it, u vendos që procesi të zhvillohet vetëm në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.



