
Sulmi ndodhi gjatë një aktiviteti të komunitetit hebraik për festën e Hanukës; policia thotë se situata është neutralizuar dhe dy persona janë ndaluar.
Të paktën 12 persona humbën jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri të dielën në mbrëmje në plazhin Bondi në Sidnei, një nga zonat më të frekuentuara dhe simbolike të Australisë. Ngjarja përbën një nga incidentet më të rënda me të shtëna masive në vend vitet e fundit.
Policia australiane njoftoi, sipas mediave ndërkombëtare, se situata ishte “neutralizuar” dhe se nuk kishte më sulmues aktivë të paidentifikuar. Autoritetet konfirmuan gjithashtu se dy persona janë vënë në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Robert Gregory, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Hebraike Australiane, deklaroi se anëtarë të komunitetit i kishin bërë të ditur se të shtënat kishin në shënjestër një aktivitet të Chabad-it që po zhvillohej në plazh.
“Ky është një sulm ndaj komunitetit hebraik që na dhemb thellësisht si komunitet,” u shpreh ai.
Edhe Alex Ryvchin, bashkëdrejtor ekzekutiv i Këshillit Ekzekutiv të Hebrenjve Australianë, konfirmoi se incidenti ndodhi gjatë një aktiviteti të komunitetit hebraik, të organizuar për natën e parë të Hanukës.
Sipas BBC-së, ngjarja e Hanukës po mbahej në një zonë me bar pas plazhit, pranë një ure këmbësorësh që shërben për kalimin drejt bregut të detit. Dyshohet se sulmuesit e kishin përdorur këtë urë si pikë strategjike për të sulmuar turmën.
Një dëshmitar okular tregoi se vetëm një orë para të shtënave kishte kaluar mbi urë dhe kishte parë aktivitetin në zhvillim të plotë, me rreth 200 pjesëmarrës, muzikë të lartë dhe zona të ndryshme aktivitetesh, përfshirë edhe një mur ngjitjeje.
Zona ishte e rrethuar me barriera metalike dhe hyrje-daljet kontrolloheshin përmes një porte ku dukej se bëheshin kontrolle çantash, megjithatë, sipas dëshmive, masat e sigurisë dukeshin minimale.
Autoritetet australiane kanë shtuar praninë policore në zonë dhe kanë bërë thirrje për qetësi, ndërsa komuniteti lokal dhe ai hebraik janë tronditur thellë nga kjo ngjarje e rëndë.



