
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar kryetarin e ri të Mitrovicës, Faton Peci, për ta uruar për marrjen e detyrës.
Peci ka thënë se në takim është diskutuar për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës dhe mbështetjes institucionale.
Ndaj vizitës së Osmanit ka pasur reagim nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, nga radhët e LDK-së. Ai ka thënë se Osmani nuk përfaqëson unitet, por “favorizime e përçarje”.
“Kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake, Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike. Shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues. Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Osmani e Peci kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media pas takimit.
“…duke ditur vullnetin me të cilën punon dhe seriozitetin që merr secilën punë dhe njëkohësisht jam e bindur që edhe nga aspekti politik duke ditur rëndësinë e Mitrovicës do të bashkëpunojmë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të vazhdojmë ta ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës, integritetin territorial. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve”, tha Osmani



