
Kryeministri shqiptar thotë se për heqjen e masave pati koordinim të mirë, ndërsa meritat ia atribuon presidentes Vjosa Osmani.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se samiti i djeshëm BE–Ballkani Perëndimor i mbajtur në Bruksel ka sjellë rezultate pozitive si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën.
Në një deklaratë të bërë në Facebook, nga ku njoftoi se ishte nisur drejt Hagës për ta vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në paraburgim, Rama ka folur edhe për vendimin e marrë për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ai tha se për këtë proces ka pasur një “koordinim të mirë” mes Shqipërisë dhe Kosovës, por theksoi se meritat kryesore i takojnë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
“Mbrëmë kemi përmbyllë një samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor që ka qenë inkurajues, ka qenë i suksesshëm për Shqipërinë po se po, por edhe për Kosovën. Për hir të vërtetës më duhet ta them, presidentja e Kosovës ka shkëlqyer”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, Osmani ka pasur rol kyç në zhbllokimin e fondeve të BE-së, falë angazhimit dhe koordinimit të mirë në javët e fundit.
“Ka shkëlqyer me fjalë bindëse, por edhe si rezultat i një pune këmbëngulëse dhe i një koordinimi të mirë që kemi bërë në javët e fundit, pa dashur këtu të marr asnjë meritë, ia ka dalë të zhbllokojë të gjithë ato fonde të bllokuara prej kohësh nga ana e BE-së”, ka shtuar Rama.



